U PROMOVUA LIBRI SHQIPTARËT NË ZAGREB, PJESA E PARË

Në sallën e Shtëpisë së Gazetarëve në Zagreb, më 18 maj 2022, u promovua libri Shqiptarët në Zagreb, pjesa e parë. Në promovim merrnin pjesë zv.ambasadorja e Ambasadës së Shqipërsisë znj. Alma Kasa; përfaqësuesit e ambasadës së Kosovës, zotërinjtë Haziri dhe Kuci; ambasadori i Maqedonisë së Veriut z. Milaim Fetai; përfaqësuesi i Qeverisë Kroate z. Marković; znj. Ljiljana Kašlja, drejtuesja e Sektorit per Pakicat Kombëtare në Bashkinë e Zagrebit, bashkëatdhetarë, gazetarë, intelektualë, artistë, pjeseëarë të familjeve të vjetra të respektuara të Zagrebit dhe kryetarë të shoqatave shqiptare, gjithashtu edhe përfaqësues të këshillave të pakicave të tjera të Zagrebit.
Libri u shkrua nga dr.sc. Filip Škiljan, punonjës shkencor pranë Institutit për Migrim të Kroacisë, recenzentët janë: dr.sc. Dragutin Babić, dr.sc. Aleksandar Vukić, dr. sc. Gzim Rexhepi, prof.dr.sc. Zenun Skenderi dhe u botua nga Këshilli i Pakicës Komëetare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit. Autori Škiljan në fjalen e tij citoi…” Sot ka familje, si familja Misimi dhe Tahiri, të cilat janë të pranishme në qytet për gati njëqind vjet. Në Zagreb shqiptarë ka pasur edhe më parë, siç shihet nga regjistrimi, por shumica e tyre ishin ushtarakë, jo banorë të përhershëm. Sipas dokumenteve historike, shqiptari i parë me banim të përhershëm në Zagreb ishte një Xhabir, me origjinë nga Maqedonia, i cili mbërriti në Zagreb rreth vitit 1907 dhe fillimisht u punësua në kafenenë e refugjatit turk Josuf Zijabe. Më vonë Xhabiri e hapi kafenenë e tij. Megjithatë, ne nuk dimë asgjë tjetër për të. Familja Tahiri është një nga familjet më ëvjetra të Zagrebit kanë ardhur në vitin 1923 prej Shtrezës afër Kukësit. Ndërsa familja Misimi ka ardhur në Zagreb më 1930 prej Palçishtes afër Tetoves. Familja Bashota ka ardhur më 1924 prej Kosovës. Megjithatë, një numër i madh i shqiptarëve kanë mbërritur në Zagreb gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Ishte kënaqësi e vërtetë të flisja me argjendarë, filigranë, bukëpjekës të suksesshme dhe ata te cilët merreshin me ëmbëltore, të cilët e vlerësojnë zanatin e tyre edhe pas kaq shumë dekadash dhe brezi i tretë dhe ndonjëherë i katërt i të cilëve ruan njohuritë e transmetuara nga parardhësit e tyre“.
Duhet të përmend që për shqiptaret si një nga pakicat më të mëdha në Zagreb dhe gjithë Kroacinë ka pasur shumë pak literaturë dhe doukmenta të ruajtura në arkivë. Në libër autori nëpërmjet intervistave me familjarët e familjeve Misimi, Tahiri, Dobruna, Daka, Hajdari, Shiroka, Gjoni, Kacinari, Kolveshi, Mjeda, Lumezi, Aliti, Aliu, Abdurahimi, Rexhepi, Sulejmani, Bashota e të tjerë, ka sjellë historitë e tyre madje edhe me foto të vjetra, të cilat do të jenë interesante për lexuesit. Gjithashtu një vend i rëndësishëm i është kushtuar akademikëve, historianit e albanologut Aleksandar Stipčević, historianit Zef Mirdita, sportisteve: futbollistit Arjan Ademi, ish futbollisteve dhe tashmë trainerëve Besnik Prenga e Ardian Kozniku, kitaristit Petrit Çeku e të tjerë. Në promovim folën autori Škiljan, botuesi dr sc. Gzim Rexhepi, recenzenti prof dr.sc. Zenun Skenderi dhe filigranisti e artisti Lazer Lumezi, ndërsa moderoi gazetari Emirat Asipi.

Ndërsa recenzenti dhe kryetari i Këshillit dr.sc. Gzim Rexhepi në fjalën e tij tha:
“Ky ishte një projekt i madh. Ky libër është plot me informacione dhe të dhëna të vlefshme për shqiptarët në Zagreb, si për ata të ardhur në fillim të shekullit, ashtu edhe për shqiptarët e sotëm. Libri përmban shumë informacione, por edhe të dhëna statistikore. Kemi edhe një rubrikë të veçantë për shqiptarët që kontribuan në luftën atdhetare të Kroacisë. Do të doja të falënderoja të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij libri dhe mund të njoftoj menjëherë pjesën e dytë, e cila tashmë është në fillim e sipër“
Libri është i ndarë në këto pjesë: Fjala hyrëse e dr.sc. Gzim Rexhepit. Shqiptarët ne Kroaci, si pjesë e diasporës shqiptare, ku gjenden të dhëna statistikore të regjistrimit të popullësisë prej 1921 e deri ne 2011 (të dhënat e fundit të regjistrimit të popullësisë të 2021 ende nuk ishin publikuar). Elementet kryesorë të identitetit kombëtar tek shqiptaret. Qëndrimi ndaj pozicionit të shqiptarëve në Kroaci. Lidhjet me atdheun. Ngjashmerite midis shqiptarëve dhe kroatëve. Shoqatat dhe organizatat shqiptare në Zagreb. Familjet e vjetra shqiptare të Zagrebit. Shqiptarët pjesëmmarrës në luftën atdhetare të Kroacisë. Biografitë e shqiptarëve të njohur të Zagrebit. (M.O.)