DITA E PAKICAVE KOMBËTARE TË ZAGREBIT

Në Parkun Zrinjevac të Zagrebit u mbajt manifestimi i pakicave kombëtare, ku morrën pjesë 19 komunitete: shqiptare, austriake, boshnjake, malazeze, çeke, hungareze, maqedonase, rome, slovene, srbe, bullgare, polake, rusine, ruse, sllovake, italiane, turke dhe ukrainase. Komunitetet prezantuan traditat e tyre, veshjet popullore, folklorin e krijimtarinë muzikore, botime e materiale promovuese, si dhe gastronominë.

Nxënësit e mësimit shqip nën drejtimin e mësueses Melita Orešković morrën pjesë në sfilatën e veshjeve popullore të komuniteteve, vallëzuan e zbukuruan skenën gjatë prezantimit të grupit muzikor të Shoqatës Kulturore „Migjeni“ nga Ljuljana, të cilët kënduan këngë tradicionale shqiptare dhe vajza Imam Ismaili këndoi këngën „Moj e bukura more“.

Në stendën e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit ofruam libra e publikime, ku veçojmë librin“ Albanci u Zagrebu/Shqiptarët në Zagreb“, Monografia „Unë jam Vinçenc Gjini“ e tjerë. Stendën e kishim zbukuruar me punimet e dorës të gjyshes Marije dhe pikturat e punimet e vizatimit të nxënësve të mësimit shqip.

Gjithashtu në stendë prezantuam edhe gatimet tradicionale shqiptare, që ia ofruam vizitorëve zagrebas dhe turistëve, ndër to kishim: byrekë, fli, bakllava, të cilat i kishin përgatitur nënat duararta dhe Furra „Kruge“ e Embëltore Zdravljo………..

Kryebashkiaku i Zagrebit Tomislav Tomašević në stendën tonë provoi flinë, u fotografua me nxënësit e anëtarët e Këshillit dhe kryetari i Këshillit dr.sc. Gzim Redžepi i dhuroi librin „Shqiptarët në Zagreb“. Veshjet tona popullore tërhoqën vëmendjen e turistëve të cilët u fotografuan me nxënësit tanë të veshur me veshje të krahinave të ndryshme shqiptare.