SHËTITJE EDUKATIVO-TURISTIKE NË ZAGREB

Me rastin e përfundimit të vitit shkollor, Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, më 13 qershor 2021 organizoi një shëtitje edukativo-turistike në Zagreb për nxënësit e gjuhës dhe kulturës shqiptare me titull Flasim për Zagrebin shqip.

Për një ditë, nxënësit e gjuhës dhe kulturës shqipe nga Zagrebi dhe Prefektura e Zagrebit u bënë turistë në Zagrebin e bukur, duke dëgjuar histori dhe anekdota të ndryshme për historinë dhe kulturën e qytetit në gjuhën shqipe me drejtimin e mësueses Melita Orešković dhe udhëheqes turistike, profesores Đurđica Ramqaj. Nxënësit u njohën më mirë me kontributin e shqiptarëve në zhvillimin e qytetit të Zagrebit dhe Kroacisë dhe lidhjen e dy kulturave.

Shëtitja edukativoturistike filloi para Teatrit Kombëtar Kroat përmes rrugës Frankopanska deri në rrugën Dalmatinska, ku panë një pllakë përkujtimore të albanologut Dr. Milan Šufllay. Më pas shkuan në rrugën Mesnička, ku ndodhet monumenti i Andrija Kačić Miošić. Ata vazhduan shëtitjen e tyre përgjatë Ilicës deri te teleferiku, i cili i çoi në qytetin e vjeter dhe vizituan Trg sv. Marka, Dverce, Sheshin Katarina dhe Portën e Gurit, zbritën nga rruga Radičeva për në Tkalčićeva dhe Dolac, kaluan pranë Katedrales së Zagrebit dhe u drejtuan për në Zrinjevac përmes Sheshit Evropian dhe Sheshit Ban Josip Jelačić. Në fund të shëtitjes, nxënësit, prindërit, organizatorët dhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë u shoqëruan në parkun e Zrinjevcit. (M.O.)