Shkolla verore shqipe për nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe të Kroacisë

Këshilli i Mësuesve Shqiptarë në Kroaci, në bashkëpunim me Këshillin e Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, organizoi shkollën verore shqipe për nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe të Zagrebit, Stubiçke Toplicës, Osijekut dhe Gjakovës, e cila këtë vit u mbajt prej 24-30 qershor 2025, në qytetin e Sellcës, në Kroaci.

Gjatë shtatë ditëve të shkollës verore, nxënësit mësuan dhe zgjeruan njohuritë e tyre në gjuhën shqipe, por edhe u argëtuan në punëtoritë gjuhësore, letrare, muzikore, të vizatimit, sportive dhe të dramës, sipas një plan-programi të miratuar nga Ministria e Shkencës, Arsimit dhe të Rinjve të Republikës së Kroacisë.

Nxënësit treguan interes për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha kushtet dhe rrethanat e komunikimit, kënduan dhe vallëzuan valle popullore shqiptare, recituan, aktruan, shkruan, vizatuan, pikturuan dhe luajtën lojëra popullore dhe lojëra të tjera sportive.

Punëtoritë i udhëhoqën drejtuesja e shkollës verore, mësuesja Melita Oreshkoviq dhe mësuesi Mendu Imeri.

Shkolla verore shqipe e Kroacisë u financua nga Ministria e Shkencës, Arsimit dhe të Rinjve të Republikës së Kroacisë, Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të qytetit të Zagrebit dhe prindërit.