17 maj 2025
Në organizim të Këshillit të pakicës kombëtare shqiptare të Qytetit të Zagrebit, sonte në hapësirat e Qendrës Kulturore Shqiptare në Zagreb u mbajt promovimi i librit “Arti popullor në veshjet shqiptare në Maqedoninë e Veriut” nga autorja Zejna Halimi.
Gjatë promovimit, autorja ndau rezultatet e hulumtimit shumëvjeçar mbi veshjet tradicionale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, simbolikën, përpunimin dhe historinë e tyre. Përmes ligjëratës, të pranishmit patën rastin të njihen më nga afër me pasurinë e artit popullor dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Libri, i titulluar “Arti Popullor në Veshjet Shqiptare në Maqedoninë e Veriut”, paraqet një kontribut të çmuar në ruajtjen e identitetit dhe traditës së shqiptarëve në këtë rajon dhe ngjalli interes të madh nga të pranishmit nga fusha akademike, kulturore dhe më gjerë.
Promovimi përfundoi me një bashkëbisedim me autoren dhe shoqërim me një koktej rasti.






