E hënë, 17 nëntor 2025.
Këshilli i pakicës kombëtare shqiptare i Qytetit të Zagrebit e ka organizuar për të gjashtën herë turneun e futbollit të vogël për shkollat fillore “Me sport kundër dhunës dhe diskriminimit”. Në sallën e shkollës fillore Borovje u mblodhën shumë shkolla, nxënës plot energji dhe dëshirë për lojë, por edhe për krijimin e miqësive të reja.
Vendi i parë iu dha shkollës fillore Vukomerec, vendi i dytë shkollës Borovje, ndërsa vendi i tretë nxënësve të shkollës fillore Žitnjak. Por edhe pse medaljet shkëlqejnë, shkëlqimi më i madh vjen nga ajo që nuk mund të varët në qafë nga bashkimi, respekti dhe forca që sjell fair play-i.
Ky turne edhe një herë tregoi se sporti mund të jetë një urë që bashkon, një hapësirë ku secili mund të jetë i barabartë, ku ndërtohet besimi dhe rrëzohen paragjykimet. Fëmijët luajtën me zemër, brohoritën për njëri-tjetrin dhe treguan se kundër dhunës dhe diskriminimit mund të luftojmë me lojë, mirëkuptim dhe duar të hapura.
Ditën e përfunduam me një drekë të përbashkët dhe shoqërim, por ajo që mbetet është shumë më tepër se kaq: një kujtim i bukur dhe shpresa se çdo brez mund të jetë më i mirë, më i guximshëm dhe më i hapur.
Projekti u mbajt nën patronazhin e kryetarit të Qytetit të Zagrebit.
















