Ditët e Kulturës Shqiptare në Zagreb

E martë, 25 nëntor 2025.

Në Zagreb u hap zyrtarisht manifestimi “Ditët e Kulturës Shqiptare” me një tryezë të rrumbullakët me temën “Problemet e komunitetit shqiptar në Kroaci: Copëtimi apo Bashkimi”, e cila u mbajt në Qendrën Kulturore Shqiptare.

Gjatë diskutimit u trajtuan sfidat kryesore të komunitetit shqiptar në Kroaci – nga organizimi i brendshëm, ruajtja e identitetit kombëtar, deri te perspektivat e bashkimit të aktiviteteve dhe institucioneve shqiptare në vend.
Ndër panelistët foli edhe Emirat Asipi, kryetar i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të qytetit të Zagrebit, i cili theksoi rëndësinë e koordinimit dhe veprimit të përbashkët për forcimin e pozitës së komunitetit shqiptar në shoqërinë kroate.

Në panel morën pjesë edhe Esad Çollaku, kryetar i Unionit Shqiptar, Viktor Ramaja, përfaqësues i Këshillit të Shqiptarëve të Istrës
Don Albert Jakaj, përfaqësues i misionit katolik shqiptar.

Në përfundim, u theksua se, pavarësisht sfidave, ekziston vullneti i qartë për të forcuar bashkëpunimin, për të mbrojtur të drejtat e pakicës shqiptare dhe për të ruajtur identitetin kombëtar për brezat e ardhshëm.