E diel, 29 shtator 2025
Në Pavilonin Muzikor në Zrinjevac u mbajt manifestimi Ditët e pakicave kombëtare të Qytetit të Zagrebit, i organizuar nga Koordinimi i këshillave dhe përfaqësuesve të pakicave kombëtare të Qytetit të Zagrebit, nën patronazhin e kryetarit të qytetit, Tomislav Tomašević. Ky manifestim tradicional, i cili këtë vit u mbajt për të pesëmbëdhjetën herë, promovon multikulturalizmin, bashkëjetesën dhe ruajtjen e identitetit të pakicave.
Në manifestim morën pjesë gjashtëmbëdhjetë pakica kombëtare: shqiptare, boshnjake, bullgare, malazeze, çeke, hungareze, maqedonase, polake, rome, rusine, sllovake, sllovene, serbe, italiane, turke dhe ukrainase. Vizitorët patën mundësinë të njihen me kostumet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin, botimet si dhe ofertën e pasur gastronomike nëpër stenda.
Programi vazhdoi me një sfilatë të kostumeve tradicionale të pakicave kombëtare dhe me interpretime muzikore e folklorike. Vëmendje të veçantë tërhoqi grupi i vallëzimit junior i Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kroaci “Shkëndija”, i udhëhequr nga kryetarja Gentiana Lleshdedaj, i cili interpretoi vallet tradicionale shqiptare dhe të Kosovës: Shari, Shota, Rugova dhe Has.
Manifestimi përfundoi me shoqërim dhe degustim të ushqimeve dhe pijeve autoktone, duke u ofruar vizitorëve një mundësi shtesë për të njohur më mirë pasurinë dhe larminë kulturore të komuniteteve pakicë në Zagreb.








