Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, në bashkëpunim me Klubin e të Rinjve Shqiptarë në Republikën e Kroacisë, organizoi dhe realizoi udhëtimin studimor dyditor në Vjenë për pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Zagreb.
Në program morën pjesë anëtarë të komunitetit të gjeneratave të ndryshme – fëmijë, të rinj, studentë, familje dhe pensionistë. Pjesë e veçantë e udhëtimit ishte vizita në muzeun ku ruhen shpata dhe përkrenarja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, njërit prej simboleve më të rëndësishme historike të popullit shqiptar.
Vizita në këtë muze kishte rëndësi të veçantë kulturore, arsimore dhe simbolike. Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me një pjesë të rëndësishme të historisë dhe trashëgimisë shqiptare, ndërsa udhëtimi shërbeu edhe për ruajtjen e identitetit, forcimin e bashkësisë dhe lidhjen ndërmjet gjeneratave të ndryshme të komunitetit shqiptar në Zagreb.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për pjesëmarrjen, frymën e përbashkët dhe kontributin në realizimin e suksesshëm të programit.









