E premte, 20 shkurt 2026.
Këshilli i pakicës kombëtare shqiptare të Qytetit të Zagrebit organizoi një mbrëmje madhështore teatrore që mblodhi në zemër të kryeqytetit kroat dashamirës të artit dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar. Në skenën e Kazalište Mala scena në Zagreb u shfaq Teatri i Tetovës me veprën “Dredhit’ e Patukut”, me tekst nga Gjergj Fishta dhe regji nga Kushtrim Bekteshi.
Shfaqja solli frymën e gjuhës, humorit dhe traditës shqiptare, duke u pritur me emocione të veçanta nga publiku. Duartrokitjet e mërgimtarëve tingëlluan ndryshe, si mall për atdheun, si mirënjohje për artin dhe si krenari për gjuhën që jehoi në skenë larg vendlindjes.
Ngjarja u realizua në bashkëpunim me Teatrin e Tetovës dhe Klubin e Rinisë Shqiptare në Kroaci, duke dëshmuar përkushtimin e institucioneve dhe shoqatave shqiptare për ruajtjen dhe promovimin e kulturës kombëtare. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe festive, duke e kthyer teatrin në një urë lidhëse mes vendlindjes dhe mërgimit, mes artit dhe identitetit.
Kjo mbrëmje teatrore dëshmoi edhe një herë se arti nuk njeh kufij dhe se skena mbetet një hapësirë e fuqishme për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe shpirtin kombëtar.









