E mërkurë, 15 korrik 2026
Kryetari i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, Emirat Asipi, zhvilloi një takim pune me ish-prorektorin për shkencë, prof. dr. Vullnet Ahmeti, si dhe me prorektorin aktual për shkencë të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Agon Memeti.
Me këtë rast u prezantua botimi i përkthyer dhe i shtypur i librit “Shqiptarët në Zagreb”, pjesa I dhe II, të cilin Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës, e ka përkthyer nga gjuha kroate në gjuhën shqipe, e ka redaktuar dhe përgatitur për botim.
Promovimi zyrtar i librit është planifikuar të mbahet në fund të këtij viti. Ky botim përbën një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve në Kroaci. Përkthimi në gjuhën shqipe do t’i mundësojë publikut shqiptar të njihet më mirë me historinë, identitetin dhe kontributin e komunitetit shqiptar në Zagreb, duke forcuar më tej lidhjet kulturore, shkencore dhe miqësore.
