Hapen rrugët për projekte të reja kulturore mes Zagrebit dhe Tetovës

Kryetari i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, Emirat Asipi, më 15 gusht 2026, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, zhvilloi një takim me kryesinë e SHKASH “Xheladin Zeqiri” si dhe me drejtorin e Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit kulturor, lidhjen ndërmjet institucioneve dhe shoqatave kulturore, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta. Vëmendje e veçantë iu kushtua ruajtjes dhe promovimit të gjuhës, kulturës, traditës dhe vlerave kombëtare shqiptare.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ndërlidhjes së ndërsjellë, shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të mundësive të reja për bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe shoqatave kulturore shqiptare në Republikën e Kroacisë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i Këshillit, Emirat Asipi, falënderoi nikoqirët për mikpritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm, duke theksuar se takime të tilla përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt iniciativave dhe projekteve të reja të përbashkëta kulturore.