Kryetari i Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, Emirat Asipi, priti kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me delegacionin që e shoqëronte gjatë vizitës zyrtare në Zagreb.
Në përbërje të delegacionit ishin Muhamed Mustafa, drejtor i Qendrës Kulturore Rinore në Tetovë, Ridvan Azizi, përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare, Nuredin Dehari, drejtues i sektorit të financave, Memet Jonuzi, drejtues i sektorit të mjedisit dhe energjetikës, si dhe Bujamin Rushiti, anëtar i delegacionit.
Gjatë qëndrimit në Zagreb, delegacioni u takua me kryetarin e Zagrebit, Tomislav Tomašević, si dhe vizitoi Qendrën Kulturore Shqiptare dhe Xhaminë e Zagrebit.
Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Zagrebit dhe Tetovës, veçanërisht në fushat e mbrojtjes së mjedisit, transportit publik, kulturës, arsimit, rinisë dhe turizmit.
U theksua veçanërisht rëndësia e komunitetit shqiptar në Zagreb, i cili prej dekadash lidh këto dy qytete dhe kontribuon në forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit do të vazhdojë të kontribuojë në afrimin e institucioneve, njerëzve dhe komuniteteve, si dhe në zhvillimin e formave të reja të bashkëpunimit.








