Këshilli i Mësuesve Shqiptarë në Kroaci, në bashkëpunim me Këshillin e Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, organizoi shkollën verore shqipe për nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe të Zagrebit, Osijekut dhe Gjakovës, e cila këtë vit u mbajt prej 24-29 qershor 2024, në qytetin e Sellcës, në Kroaci.
Gjatë gjashtë ditëve të shkollës verore, nxënësit mësuan dhe zgjeruan njohuritë e tyre, por edhe u argëtuan në punëtoritë gjuhësore, letrare, muzikore, të vizatimit, sportive dhe të dramës. Nxënësit treguan interes për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha kushtet dhe rrethanat e komunikimit.
Në punëtoritë u trajtuan temat rreth natyrës, kafshëve, simboleve kombëtare shqiptare, gjuhës shqipe dhe shëtitjeve virtuale në qytetet e Shqipërisë. Profesorja Đurđica Ramqaj, si udhërrëfyese turistike, u tregoi nxënësve për Prefekturën Bregdetaro-malore dhe prefektura të tjera në Kroaci në gjuhën shqipe.
Nxënësit kënduan edhe këngë shqipe, recituan, aktruan, shkruan, vizatuan dhe luajtën gjëegjëza, lojëra popullore shqiptare dhe lojëra të tjera sportive. Drejtuesja e shkollës verore, mësuesja Melita Oreshkoviq, mësuesi Mendu Imeri dhe profesorja Gjurgjica Ramqaj drejtuan punëtoritë, ndërsa nxënësit ishin të shoqëruar edhe nga një asistent.
Mësuesit dhe nxënësit në oborrin e kampit veror „Trešnjevka“ përgatitën dhe festuan Ditën e Grurit, një traditë që daton që nga kohërat e lashta në zonën e Myzeqejës në Shqipëri. Fëmijët dhe mësuesit kënduan këngë shqipe kushtuar të korrurave, vallëzuan, përgatitën një tryezë me grurë, misër, miell dhe petulla të gatuara nga asistentja Sadife, e cila u tregoi fëmijëve recetën e gjyshes së saj.
Mësuesit dhe asistentët vullnetarë japin një kontribut të çmuar për fëmijët shqiptarë, që të zhvillojnë dhe ruajnë identitetin e tyre kombëtar përmes punëtorive të gjuhës, letërsisë, muzikës, artit dhe dramës. Nxënësit shkruan edhe kartolinat me dedikimin “Përshëndetje nga Sellce” prindërve, shokëve dhe familjarëve.
Nxënësit vizituan Akuariumin në Crikvenicë, ku panë 300 lloje peshqish dhe patën një udhëtim njëditor me anije në Vrbnik, ku ndodhet edhe rrugica Klančić më e ngushtë në botë rreth 40 cm, në të cilën kaluan edhe nxënësit tanë.
Shkolla verore u financua nga Ministria e Shkencës, Arsimit dhe të Rinjve të Republikës së Kroacisë, Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të qytetit të Zagrebit, prindërit dhe donatorë të tjerë.
Autor: Melita Oreshkoviq
Fotografitë: Arkivi i Këshillit të Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë








